Telegrafi

SHBA: Stërvitja bërthamore ruse është rutinore, kemi qenë paraprakisht të informuar nga Moska

Zëdhënësi i Pentagonit, gjenerali amerikan i forcave ajrore Pat Ryder, ka komentuar sot shkurtimisht stërvitjen bërthamore të rusëve, ku përmes një videolinku e mbikëqyri edhe presidenti rus Vladimir Putin.

“SHBA-të janë informuar paraprakisht nga Moska. Siç kemi thënë më herët, bëhet fjalë për një stërvitje rutinore që Rusia e mban çdo vit. Sa i përket kësaj teme, Rusia respekton obligimet që i ka për kontrollin e armëve dhe në kohë na informuar për stërvitje të tilla”, shtoi Ryder, transmeton Telegrafi.

E zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se “është e rëndësishme” që Rusia ka njoftuar SHBA-të për stërvitjet, duke shtuar se një gjë e tillë ka ndodhur në momentin kur “Rusia ka filluar agresionin e paprovokuar dhe retorikën e papërgjegjshme bërthamore”.

“Këto informime paraprake janë të rëndësishme për të shmangur apo zvogëluar rrezikun nga ndonjë interceptim i gabuar”, shtoi Price.

Ndryshe Moska po akuzon vazhdimisht Kievin se kinse po përgatitet të përdorë “bombën e pistë” në territorin e Ukrainës, dhe në fund t’ia lë fajin Rusisë.

E Kievi po i mohon kategorikisht këto akuza, ku presidenti Volodymyr Zelensky tha se një gjë të tillë në fakt mëton ta bëjë Rusia. /Telegrafi/