Telegrafi

SHBA sfidon Putinin? Një rrugë në Uashington do mbajë emrin e kundërshtarit të tij

Senatori i Floridas, Marco Rubio paraqiti një projekt-ligj ditën e hënë për të ndërruar emrin e rrugës në pjesën përpara ambasadës ruse në Uashington, në nder të liderit të opozitës në Rusi që u vra në afërsi të Kremlinit dy vite më parë.

“Sheshi Boris Nemtsov” do të jetë emri i ri i rrugëkalimit sipas ligjit që pritet të kalojë Rubio.

Nemtsov, i cili shërbeu si zv.kryeministër në kohën e presidentit Boris Jelcin, u qëllua disa herë nga persona të armatosur në një urë në afërsi të Sheshit të Kuq më 27 shkurt 2015.

Në kohën e vrasjes së tij, Mentsov organizonte protesta kundër Putinit.

Shumë dyshojnë se ai u vra me urdhër të presidentit rus, akuzë të cilën Kremlini e mohon.

“Krijimi i sheshit Boris Nemtsov do të kujtojë në mënyrë të përhershme regjimin e Putin dhe se zëri i mbrojtësve të lirisë nuk do të heshtë. Kjo do të ndihmojë në ngritjen e vetëdijes në mesin e popullit amerikan në lidhje me abuzimet e vazhdueshme në Rusinë e Putinit”, tha Rubio në një deklaratë.

“Putin mund të shpresojë se vrasja e Nemtsov pengon disidentët, por ne duhet të vazhdojmë të mbështesim lëvizjen pro-demokracisë në Rusi”, shtoi senatori.

Rubio i cili është një kritik i hapur i Putin, tha se riemërimi i rrugës kërkon t’i bëjë të qartë Presidentit rus se vrasja e figurave të opozitës nuk do kalojë pa u vënë re. /bw/