Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të mërkurën ndaj pesë koreano-veriorëve të lidhur me programin e raketave balistike të vendit, një ditë pasi Pheniani kreu atë që tha se ishte lëshimi i një rakete hipersonike.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Departamenti i Thesarit tha se pesë personat e sanksionuar ishin “përgjegjës për prokurimin e mallrave për armët e shkatërrimit në masë (të Koresë së Veriut) dhe programet e lidhura me raketat balistike”.
“Veprimet e sotme, pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për të kundërshtuar programet e armëve të shkatërrimit në masë (të Koresë së Veriut) dhe raketave balistike, synojnë përdorimin e vazhdueshëm të përfaqësuesve jashtë shtetit për të blerë në mënyrë të paligjshme mallra për armë”, citohet të ketë thënë nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjenca Financiare, Brian Nelson.
“Lansimet e fundit të raketave (të Koresë së Veriut) janë dëshmi e mëtejshme se ajo vazhdon të avancojë programet e ndaluara pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për diplomaci dhe denuklearizim”, tha Nelson.
Media shtetërore e Koresë së Veriut raportoi të mërkurën se udhëheqësi i vendit, Kim Jong Un, mbikëqyri personalisht testin e suksesshëm të raketës hipersonike, lëshimi i dytë i tillë nga vendi i armatosur me armë bërthamore në më pak se një javë. /Telegrafi/