Një ditë pasi SHBA-të konfirmuan se kishin rrëzuar avionin e parë të regjimit të Assadit, Rusia ka kërcënuar se do të godasë “çdo objekt fluturues” mbi zonat e kontrolluara nga aleati i tyre.
Pentagoni tha se një bombardues i forcave aleate të udhëhequra nga Amerika kishin rrëzuar një avion SU-22, pasi kishte bombarduar zonën afër Forcave Demokratike të Sirisë, që mbështeten nga SHBA-të.
Kjo ishte hera e parë në konfliktin sirian që një avion i koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it rrëzon një avion të forcave të Assadit, përcjell Dita.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, e cila kërcënoi se do të rrëzonte çdo objekt fluturues mbi Siri, në zonat e vendit ku operojnë forcat ajrore ruse.
Rusia njoftoi po ashtu se kishte pezulluar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, që synonte të parandalonte incidentet në hapësirën ajrore siriane, ku të dy superfuqitë botërore kanë avionët e tyre në operim.
Rusia u ankua se SHBA-të nuk e kishin njoftuar para se të godisnin avionin sirian.