Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti sot në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.
Duke i dëshiruar mirëseardhje dhe fillimin e misionit diplomatik në vendin tonë, Ministri Mehaj i shprehu Ambasadorit Hovenier edhe mirënjohjen e thellë për SHBA-në në mbështetjen e pazëvendësueshme për Kosovën në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e gjithmbarshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Ai, gjithashtu, theksoi se mbështetja e deritashme e SHBA-së ka qenë jetike në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së, që u kurorëzua edhe me pjesëmarrjen e kontingjentit të parë të FSK-së në misionin e parë jashtë vendit së bashku me forcat ushtarake amerikane.
Gjithashtu, ai e njoftoi ambasadorin Hovenier edhe me objektivat kryesore të tij duke shprehur vullnetin për realizimin e tyre në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me SHBA-në dhe vendet tjera partnere.
“Ndër të tjera, ministri Mehaj theksoi se, FSK është dhe do të jetë forcë profesionale me vlera dhe standarde të vendeve të NATO-s nën kontrollin civil demokratik dhe gjithnjë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim”.
Nga ana e tij, ambasadori Hovenier, premtoi se SHBA, përmes bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Ajovës dhe programeve tjera, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë partneritetin e fuqishëm me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.
“Me ministrin Mehaj, rikonfirmuam përkushtimin tonë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë ndihmën me mjete të tjera që FSK të bëhet një partner edhe më i fortë, shumë-etnik, i ndërveprueshëm me NATO-n, duke kontribuar për sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe global”.
Në fund, të dy ishin të një qëndrimi që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve partnere në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë./Telegrafi/