Telegrafi

SHBA po planifikon vendosjen e armëve bërthamore në tokat britanike

SHBA po planifikon të stacionojë armë bërthamore në Mbretërinë e Bashkuar si kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve në rritje nga Rusia.

Disa dokumente të Pentagonit thuhet se kanë zbuluar një objektiv të ri, ku “SHBA-ja synon të vendosë koka bërthamore tre herë më të forta se bomba e Hiroshimës”.

Kjo do të shënonte herën e parë në 15 vjet që amerikanët vendosin armë bërthamore në Mbretërinë e Bashkuar.

“Dokumentet e paredaktuara në bazën e të dhënave të prokurimit të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, zbulojnë planet për një “mision bërthamor” që do të zhvillohet “menjëherë” në RAF Lakenheath të Suffolk”, raporton The Telegraph, transmeton Telegrafi.

Armët bërthamore që mund të vendosen në bazën britanike raportohet të jenë bomba graviteti B61-12, vendosja e të cilave realizohet me aeroplanë luftarak.

Në vazhdën e sulmeve të ashpra ruse, ky veprim nga shteti amerikan thuhet të jetë pjesë e programit të NATO-s për zhvillimin dhe përmirësimin e vendeve që posedojnë armë bërthamore.

Duke komentuar për raportin, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha se “Mbetet një politikë e gjatë e Mbretërisë së Bashkuar dhe NATO-s që të mos konfirmojnë apo mohojnë praninë e armëve bërthamore në një vend të caktuar”. /Telegrafi/