Telegrafi

SHBA po përgatitet t’i shesë Turqisë pajisje për aeroplanët F-16

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden, informoi Kongresin të hënën se planifikon t’i shesë Turqisë përmirësimet e softuerit për sistemet elektronike në aeroplanët luftarakë F-16 të Forcave Ajrore turke, me vlerë prej në 259 milionë dollarë.

Marrëveshja do të shesë pajisje për modernizimin e aeroplanëve turq, pasi krerët e komiteteve përkatëse në Kongresin e SHBA dhanë pëlqimin e tyre jozyrtar, transmeton Telegrafi.

Marrëveshja më e gjerë, sipas së cilës Turqia anëtare e NATO-s dëshiron të blejë miliarda dollarë aeroplanë amerikanë F-16, mbetet e pasigurt për shkak të kundërshtimit në Kongres.

Marrëveshja, nëse miratohet zyrtarisht, do të lejojë shitjen e parë të madhe të pajisjeve ushtarake në Turqi të miratuar nga Kongresi në vite.

“Turqia është një aleat i vjetër dhe i vlerësuar i NATO-s. Administrata Biden mbështet përpjekjet e Turqisë për të modernizuar sistemet elektronike të flotës së saj F-16”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Zëdhënësi vuri në dukje se përmirësimi do të rrisë ndërveprimin midis sistemeve turke dhe NATO-s. Marrëveshja për modernizimin e aeroplanëve F-16 vjen pasi Turqia ratifikoi hyrjen e Finlandës në NATO, dhe pas shenjave të zbutjes së tensioneve midis Turqisë dhe Greqisë fqinje përpara zgjedhjeve turke.

Kompania amerikane Lockheed Martin do të jetë furnizuesi kryesor në marrëveshje, e cila nuk ka lidhje me shitjen e propozuar prej 20 miliardë dollarësh të aeroplanëve të rinj luftarakë Lockheed Martin F-16, dhe gati 80 paketave të modernizimit të kërkuara nga Turqia në tetor të 2021.