Agjencitë e lajmeve bëjnë të ditur se presidenti Joe Biden po planifikon të shpenzojë 5 miliardë dollarë për të blerë ilaçin e ri antiviral kundër Covid-19, që është në fazë eksperimentale, të kompanisë Pfizer.
Sasia e blerë pritet të jetë e mjaftueshme për të trajtuar 10 milionë raste.
Njoftimi u dha një ditë pasi kompania Pfizer nënshkroi me një agjenci të OKB-së një marrëveshje për ta dhënë falas licencën e ilaçit të ri për t’u prodhuar në 95 vende, që përbëjnë 53 për qind të popullsisë së botës.
Pfizer thotë se ilaçi i ri, i quajtur “Paxlovid,” ul me 90 për qind vdekjet dhe shtrimet në spital të personave që kanë simptoma të lehta deri në të moderuara të COVID-19.
Pfizer i kërkoi të martën Agjencisë së Barnave dhe Ilaçeve (FDA) të miratojë përdorimin e ilaçit të ri.
Një tjetër kompani farmaceutike amerikane, Merck, ka rënë dakord që ilaçi i saj anti-viral t’u jepet falas 105 vendeve të varfra.
Merck thotë se ilaçi i saj ul me 50 për qind rrezikun për rastet e rënda, nëse merret menjëherë pas shfaqjes së simptomave të para.
Administrata amerikane ka parashikuar të blejë 3.1 milionë doza të ilaçit të firmës Merck për 2.2 miliardë dollarë.
Agjencia e Barnave pritet të takohet më 30 nëntor për të shqyrtuar dhënien e miratimit për ilaçin. Agjencia rregullatore britanike e miratoi atë në fillim të muajit. /VOA/