Telegrafi

SHBA përpiqet të bindë botën për dollarin

Washington, 13 nëntor – Sekretari amerikan i Thesarit, Tim Geithner, rishpalli edhe një herë besimin e vet te rëndësia e një dollari të fortë dje, në prag të një vizite disaditore të Presidentit Barak Obama në Azi.

"Unë besoj se është me të vërtetë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, për shëndetin ekonomik të SHBA-së, që ne të mbajmë një dollar të fortë", tha Geithner para gazetarëve në Tokio. 

Ndërkohë, dollari dje zbriti në nivelin e vet më të ulët në 15 muaj përballë monedhave kryesore të botës, duke shtuar pikëpyetjet mbi të ardhmen e valutës amerikane si monedha qendrore e ekonomisë botërore.

"Ne kemi përgjegjësi të veçantë dhe do të punojmë të sigurojmë që politikat e zbatuara në Shtetet e Bashkuara do të garantojnë besimin e investitorëve të të gjithë botës mbi dollarin", tha ai. Geithner premtoi gjithashtu se pasi ekonomia amerikane të rimëkëmbet, qeveria do të rikthehet te "bilanci i qëndrueshëm fiskal". Zyrtari amerikan po fliste në Tokio përballë disa udhëheqësve të rëndësishëm aziatikë.

Yuji Saito, kreu i këmbimit valutor i bankës "Social Generale" në Tokio, komentoi se premtimet e Geithner nuk po pasohen nga veprime konkrete për të ndaluar rënien e dollarit, ndërsa sjellja e amerikanëve duket sikur e bën të pranueshëm vlerën aktuale të kësaj monedhe. Dollari i dobët i bën eksportet amerikane më tërheqëse. Ndërkohë, shumë monedha aziatike janë forcuar gjatë kohëve të fundit përballë dollarit.

Në përpjekje për të shmangur forcimet e mëtejshme të monedhave kombëtare, disa banka qendrore aziatike kanë blerë dollarë në treg. Ministri tajlandez i Financave deklaroi dje se vendi i tij ka blerë rreth 15 miliardë dollarë këtë vit në përpjekje për të mbështetur dollarin.

Ai shtoi se dobësia e mëtejshme e renminbit të Kinës mund të shtyjë edhe banka të tjera të rajonit të blejnë dollarë. Euro kushtoi mbi 1.5 dollarë gjatë ditëve të fundit, një kuotë kjo e paparë që prej 15 muajsh.