Site icon Telegrafi

Mehaj: SHBA përkrah Kosovën drejt anëtarësimit në NATO

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Armend Mehaj ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin iniciativën e Kosovës për t’u bërë anëtare e Partneritetit për Paqe, si hap drejt anëtarësimit në NATO.

Mehaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “edhe një herë ShBA, si ndër partnerët e ngushtë dhe të pazëvendësueshëm në të gjitha proceset zhvillimore të Republikës së Kosovës, përmes përkrahjes së shprehur haptazi nga zëdhënësi i misionit të ShBA-së në NATO, Jeffrey Adler, rreth iniciativës sonë për t’u bërë anëtar të programit të Partneritetit për Paqe, si hap iniciues drejt anëtarësimit në NATO, po e dëshmon se Kosova konsiderohet partner i besueshëm i SHBA-së”.

“Defender Europe ’23, bashkëzbarkimet si misione të përbashkëta, janë rruga jonë drejt qëllimeve tona përfundimtare, anëtarësimin në institucione evropiane dhe euroatlantike”, ka thënë Mehaj, transmeton Telegrafi.

Më tej Mehaj thotë se “rruga jonë është e pashkëputshme nga aleatët tanë, rrugëtimi ynë është i drejtë ngase ndajmë të njëjtat vlera të demokracisë, paqes dhe stabilitetit për të cilat dhe angazhohemi.

“Republika e Kosovës është e përgatitur për të thelluar partneritetin dhe aleancën tonë e cila shtrihet në shumë fusha, bazuar mbi vlerat e përbashkëta me ShBA-në, dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian”, thotë ministri i Mbrojtjes.

Ndryshe, edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një postimi tjetër në Facebook, ka thënë se Ushtria e Republikës së Kosovës, vazhdon përgatitjet për “Defender Europe 2023”.

“Si gjithnjë të përkushtuar për validimin e dy regjimenteve. Të gjitha trajnimet zhvillohen sipas standardeve të vendeve të NATO-së”, ka shkruar Mehaj, duke postuar edhe një video nga përgatitjet e FSK-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se Kosova do të kërkojë që të bëhet pjesë e programit të Partneritetit për Paqe.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ka formuar një grup punues për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe.

Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë. /Telegrafi/

Exit mobile version