Site icon Telegrafi

SHBA përgatitet të evakuojë qytetarët e saj dhe diplomatët nga qyteti Wuhan

Qeveria e Shteteve të Bashkuara po planifikon të evakuojë qytetarët nga qyteti kinez Wuhan, i goditur nga koronavirusi. 

SHBA po planifikon një fluturim të dielën për të sjellë qytetarët dhe diplomatët e saj nga Wuhan, transmeton Telegrafi.

Qyteti, i cili ka një popullsi prej rreth 11 milionë banorë, konsiderohet epiqendra e shpërthimit vdekjeprurës të koronavirusit, dhe është vendosur në ‘karantinën’ që nga e enjtja.

Lajmet për evakuimin erdhën ndërsa numri i rasteve të konfirmuara nga koronavirusit në mbarë botën u rrit në 1.396 të shtunën në mëngjes, përfshirë 42 vdekje.

Shumica e rasteve të infektuara- dhe të gjitha vdekjet – kanë ndodhur në Kinë.

Përhapja besohet të ketë origjinën në fund të dhjetorit në një supermarket në qytetin Wuhan, para se udhëtarët të bartnin virusin në të paktën 11 vende të tjera.

Rreth 57 milionë njerëz në 15 qytete kineze janë tani në bllokim ndërsa zyrtarët po punojnë për të ngadalësuar përhapjen e shpejtë të virusit.

Rreth 1.000 qytetarë amerikanë mendohet se janë në Wuhan.

Një avion Boeing 767, i cili transporton rreth 230 njerëz, është planifikuar të transportojë diplomatët nga konsullata amerikane, si dhe qytetarë amerikanë dhe familjet e tyre, raportoi Wall Street Journal, duke cituar një person të njohur që ka të bëjë me operacionin që do të zhvillohet të dielën.

Kuptohet që personeli mjekësor do të jetë në fluturim për t’u kujdesur për këdo që mund të ketë qenë i infektuar nga virusi dhe të parandalojë përhapjen e tij. /Telegrafi/

Exit mobile version