Administrata e amerikane në Washington është absolutisht kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe as nuk dëshiron të flasë më për këtë çështje, i ka thënë agjencisë serbe “Tanjug” një zyrtar nga administrata e presidentit amerikan Barack Obama.
Ai i ka thënë agjencisë serbe se SHBA-të vlerësojnë se çfarëdo ndryshimi eventual i kufijve do të kishte ndikim ekstrem negativ për stabilitetin e rajonit.
"Për Shtetet e Bashkuara kjo çështje është mbyllur me vetë faktin që e kemi njohur Kosovën në kufijtë aktual. Qëndrimin tonë ua kemi transmetuar disa herë bashkëbiseduesve në Beograd”, ka thënë zyrtari nga administrata e presidentit Obama.
Ky reagim nga Washingtoni vjen një ditë pasi kryeministri serb Ivica Dacic ka deklaruar se ndarja e Kosovës është e vetmja zgjidhje e mundshme dhe reale. /Telegrafi/