Ministri amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, ka paralajmëruar Korenë e Veriut të mos nis një luftë kundër vendit të tij. “Nëse ata do të godasin Shtetet e Bashkuara, kjo mund të kulminojë shumë shpejt drejt luftës”, tha Mattis para gazetarëve.
Washingtoni dhe Pheniani i kanë ashpërsuar gjithnjë e më shumë tonet së fundmi. Presidenti amerikan kishte paralajmëruar se SHBA-të do të reagojnë me “zjarr dhe zemërim” ndaj testeve të tjera me raketa.
Koreja e Veriut kërcënoi pas kësaj me sulm ndaj ishullit Guam, ku SHBA mban një bazë ushtarake. Mattis u shpreh se nëse raketa do të marrë drejtimin e Guamit, “ne do ta asgjësojmë atë”.
Mattis, bashkë me kreun e Departamentit të Shtetit, Rex Tillerson, të ftuar në një artikull me për “Wall Stret Journal”, kishin përdorur një gjuhë tjetër. Tillerson ishte treguar i përmbajtur ndaj zgjidhjes ushtarake. Në artikull theksohet se qeveria amerikane nuk ka ndonjë interes të rrëzojë pushtetmbajtësin Kim Jong-un. Washingtoni nuk ndjek as ndonjë strategji për bashkim të shpejtë të dy Koreve.
“Nuk kemi asnjë nevojë që të dëmtojmë popullin koreanoverior që vuan prej kohësh, e që dallon nga regjimi i tij”, tha ai.
Edhe ditët e ardhshme përmbajnë potencial konflikti mes Washingtonit e Phenianit. Të martën të dy shtetet koreane përkujtojnë fitoren kundër trupave japoneze në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Qeveria e Phenianit mund ta përdorë këtë për një demonstrim të ri force. Kreu i shtetit koreanoverior, Kim Jong-un i është drejtuar SHBA-së me thirrjen që të lenë “provokimet arrogante” dhe “kërkesat e njëanshme”. Gjatë vizitës në një shtab ushtarak ai e theksoi edhe njëherë gatishmërinë për të sulmuar ishullin Guam.
Kina që konsiderohet si fuqia mbrojtëse e Koresë së Veriut rriti së fundmi presionin ndaj Phenianit. Ajo reagoi me ndalimin e importit të hekurit, qymyrit dhe frutave të detit nga shteti i izoluar ndërkombëtarisht. /DW/