Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë një çarmatim bërthamor me faza nga Koreja e Veriut. Kështu u shpreh të hënën përfaqësuesi i Uashingtonit në negociatat me Phenianin, Steve Biegun.
“Nuk do ta realizojmë çarmatosjen bërthamore në mënyrë graduale. Presidenti e ka bërë të qartë këtë dhe mbi këtë qëndrim ka unanimitet të plotë në qeverinë amerikane”, tha zoti Beigun në një konferencë mbi politikat bërthamore në Uashington.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, William Gallo, komentet e zotit Biegun janë dëshmia e fundit se Shtetet e Bashkuara po ashpërsojnë qëndrimin publik pas takimit Trump-Kim në Hanoi të Vietnamit, i cili përfundoi pa përparim.
Para takimit, zyrtarët amerikanë kishin sinjalizuar se mund të ishin të hapur ndaj një çmilitarizimi me faza, në bazë të të cilit Koreja e Veriut braktiste armët bërthamore gjatë disa etapave, ndërsa Shtetet e Bashkuara përgjigjeshin me masa korresponduese.
Zoti Biegun tha të hënën se Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin sanksionet deri kur Koreja e Veriut “të përfundojë procesin e çarmatimit bërthamor”, megjithëse ai tha se ka “aspekte të tjera, përveç heqjes së sanksioneve” ku Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë lëshime.
Koreja e Veriut kërkon lehtësim të sanksioneve para se të ndërmarrë hapa drejt eliminimit të programit bërthamor.
Prova Ushtarake?
Që pas takimit të Hanoit, zyrtarët amerikanë kanë kërcënuar se do të zgjerojnë sanksionet, pasi nga imazhet satelitore dalin dëshmi se Pheniani mund të jetë në përgatitje për prova me raketa apo për hedhjen e një sateliti në hapësirë.
Presidenti Trump ka thënë se do të mbetej i zhgënjyer nëse Koreja e Veriut hedh raketa. Por zoti Biegun nuk u kushtoi shumë rëndësi pamjeve satelitore që tregojnë aktivitetin në Korenë e Veriut.
“Nuk e dimë nëse ky aktivitet synonte të shërbente si sinjal apo mesazh për ne”, tha zoti Beigun.
Pamjet nga satelitë komercialë çojnë në përfundimin se Koreja e Veriut ka rindërtuar disa pjesë të një stacioni për lëshimin e satelitëve dhe ka shtuar aktivitetin në një objekt që përdoret për montimin e raketave balistike.
Në të kaluarën, aktivitete të tilla sinjalizonin se Pheniani po përgatitej për të hedhur raketa. Analistët thonë se Koreja e Veriut mund të jetë duke e përdorur këtë aktivitet si kërcënim për prova me raketa në mënyrë që të shtojë presionin në negociata.
Sanksionet e OKB-së nuk i lejojnë Koresë së Veriut të kryejë prova me raketa.
Megjithëse Pheniani këmbëngul se lëshimi i satelitëve bëhet në kuadër të programit të tij civil hapësinor, Shtetet e Bashkuara e shohin hedhjen e satelitit si një provë e kamufluar e teknologjisë raketore.
Koreja e Veriut nuk ka kryer prova me raketa që nga fundi i vitit 2017. Në takimin në Hanoi, Presidenti Trump tha se zoti Kim i kishte premtuar se Koreja e Veriut nuk do të rifillojë provat.