Telegrafi

SHBA nuk përmbahet ndaj Argjentinës

Kevin Durant shënoi 23 pikë ndërsa Paul George 18 të tjera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që fituan 111-74 një sfidë miqësore përpara Olimpiadës së Rios ndaj Argjentinës duke treguar se dhe këtë vit ata do të jenë favoritët kryesorë për fitimin e medaljes së artë.

Në ndeshjen e luajtur në Las Vegas, pa Bryant të tërhequr dhe James që nuk do të marrë pjesë në Olimpiadë, skuadra amerikane kishte një formacion krejt të ndryshëm nga ai i katër viteve më parë në Londër megjithatë ekipi tregoi një lojë të jashtëzakonshme mbi parket duke mos e lejuar për asnjë moment Argjentinën të besonte realisht në një rezultat pozitiv.

George ishte i papërmbajtshëm në fraksionin e parë, teksa shënoi 14 pikë për një +18 të SH.B.A. që periodën e parë e mbylli me rezultatin 32-14.

Në pushim ndërkohë amerikanë vajtën me shifrat 56-33 duke arritur të thellojnë më tej diferencën. Ginobli u përpoq të mbante në lojë Argjentinën por gjithsesi amerikanë ishin të papërmbajtshëm mbi parket.

Perioda e 3-të e lojës ishte e barabartë teksa u regjistrua një rezultat i pjessshëm 24-24. Ndërkohë që në pjesën e fundit Durant realizoi 4 nga 9 goditje për 3 duke rritur diferencën në +37 pikë. Ky ishte testi i parë për amerikanët që të dielën do të përballen në një tjetër miqësore me Kinën.