Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price tha sot se nuk është e vërtetë që është arritur një marrëveshje mbi shkëmbimin e të burgosurve midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
“Kjo nuk është e vërtetë… Ne nuk do të ndalemi derisa këta njerëz të bashkohen me familjet e tyre”, tha Price, transmeton Reuters.
Shefi i stafit të presidentit amerikan Ron Klein gjithashtu mohoi raportin, i cili u transmetua në televizionin shtetëror iranian.
“Fatkeqësisht, ai raport nuk është i saktë. Nuk ka asnjë marrëveshje për lirimin e atyre katër amerikanëve”, tha Klein për CBS.
Më herët gjatë ditës, televizioni shtetëror iranian transmetoi një raport nga kanali televiziv libanez pro-iranian Al Majadin se do të kishte një shkëmbim të burgosurish midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe se Irani po kërkonte lirimin e shtatë miliardë dollarëve “të ngrirë” .
Televizioni shtetëror citoi gjithashtu një zyrtar anonim iranian të thoshte se ishte parashikuar një marrëveshje sipas së cilës Britania e Madhe do të duhet të paguante 400 milionë funte (550 milionë dollarë) për lirimin e një gruaje britanike me origjinë iraniane.
Ministria e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe e hodhi poshtë këtë mundësi. /kp/Telegrafi/