Mbi një mijë persona kanë marrë pjesë në një protestë që është organizuar në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) kundër racizmit dhe urrejtjes, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta ka filluar para Federal Plaza që gjendet në këtë qytet, ndërsa folësit që i janë adresuar turmës së përbërë nga përfaqësues të dhjetëra grupeve kanë tërhequr vëmendjen drejt incidenteve të fundit të nxitura nga racizmi dhe urrejtja.
Ata kanë theksuar se liria e shprehjes nuk u jep të drejtë individëve të përdorin retorikë raciste, duke shtuar se aktet e urrejtjes kundër afroamerikanëve, muslimanëve dhe grupeve të tjera kanë arritur në përmasa shqetësuese.
Në program është përkujtuar edhe Heather Heyer, e cila humbi jetën gjatë incidenteve në qytetin Charlottesville në Virxhinia. Programi vazhdoi me marsh para ndërtesës Trump Tower që gjendet në këtë qytet.
Protestuesit kanë mbajtur pankarta më mbishkrime si “Edhe jeta e muslimanëve ka rëndësi”, “Do të luftojmë kundër racizmit” dhe “Këtu nuk ka vend për urrejtje”. Ata po ashtu kanë hedhur slogane si “Jo Ku Klux Klanit (KKK), Trumpit dhe SHBA-së raciste”.
Ndërkaq, policia e Çikagos ka marrë masa të rrepta të sigurisë gjatë aktivitetit, përgjatë rrugës së marshimit të protestuesve dhe para Trump Tower.