Site icon Telegrafi

Jep dorëheqje këshilltari i Trumpit

epa05742779 Retired Lieutenant General Michael Flynn, U.S. national security advisor, arrives to a swearing in ceremony of White House senior staff in the East Room of the White House in Washington, DC, USA, on 22 January 2017. EPA/Andrew Harrer / POOL

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se këshilltari për siguri kombëtare, Michael Flynn, mbrëmë vonë ka dhënë dorëheqje për shkak të raporteve se ai i ka keqinformuar zyrtarët e lartë të presidentit, Donald Trump, lidhur me kontaktet e tij me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Sergei Kislyak.

Largimi i Flynn, më pak se një muaj pas inaugurimit të administratës Trump, shënon një lëkundje të hershme në ekipin e këshilltarëve të lartë presidencialë.

Michael Flynn ishte një mbështetës lojal i Trumpit gjatë gjithë fushatës presidenciale vitin e kaluar, por lidhjet e tij me Rusinë shkaktuan shqetësim në mesin e zyrtarëve të tjerë të lartë të administratës Trump, raporton Rel.

Në këtë kuadër, Flynn fillimisht i kishte thënë zëvendëspresidentit, Mike Pence, se ai nuk kishte diskutuar për sanksione me ambasadorin rus, Sergei Kislyak, gjatë disa bisedave telefonike, që i kishin zhvilluar gjatë muajit dhjetor, derisa presidenti i atëhershëm, Barack Obama, po e përgatiste rundin e ri të sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të sulmeve kibernetike ruse gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane.

Por, më vonë, Flynn në një intervistë pranoi se ai ndoshta kishte biseduar për sanksione me ambasadorin rus.

Diskutimet e tilla mund të paraqesin shkelje të legjislacionit amerikan, i cili shtetasve privatë nuk u lejon udhëheqje të politikës së jashtme.

Shtëpia e Bardhë e ka emëruar gjeneralin e pensionuar, Keith Kellogg, si ushtrues i detyrës së këshilltarit për siguri kombëtare.

Exit mobile version