Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka uruar Kosovën për arritjen e marrëveshjes me Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) dhe anëtarët e Grupit Rajonal të Evropës Kontinentale lidhur me kushtet që duhet plotësuar për t’u lidhur me rrjetin elektrik evropian.
Në njoftimin e ambasadës thuhet se miratimi i kësaj marrëveshje arrin finalizimin e projektit të filluar në vitin 2013, për të sjellur siguri energjetike më të madhe për rajonin, transmeton Telegrafi.
“Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar palët që të gjejnë zgjidhje kreative dhe të qëndrueshme për të nxitur integrimin e mëtejshëm ekonomik. Ne mezi presim që të vazhdojmë të punojmë me Kosovën dhe partnerët e saj të shumtë gjersa ajo zbaton këtë vendim dhe vazhdon integrimin e saj në komunitetin evropian”, thuhet në deklaratë.
Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vet energjetikë, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.
Deri te kjo ka ardhur pasi të hënën është votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO. /Telegrafi/