Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar urdhër për sekuestrimin e cisternës iraniane të naftës, që ka shkaktuar tensionin të marrëdhënieve ndërmjet Teheranit dhe Perëndimit. Ky urdhër i SHBA-së shihet si përpjekja e fundit për të parandaluar që kjo anije të largohet nga Gjibraltari.
Cisterna “Grace 1” është kapur nga Marina Mbretërore britanike më 4 korrik, nën dyshimin se ka shkelur sanksionet e Bashkimit Evropian, lidhur me dërgesat e naftës për në Siri.
Gjibraltari të enjten ka hequr ndalesën për anijen, pasi Britania tha se ka marrë garanci me shkrim nga Teherani që ngarkesa me naftë, që gjendet në këtë cisternë, nuk do të dërgohet në Siri.
Por, Shtetet e Bashkuara kanë nisur një ankesë ligjore, me qëllim që të bllokojnë anijen, me arsyetimin se ajo ka lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit, të cilën Uashingtoni e cilëson organizatë terroriste.
Një gjykatë federale në Uashington lëshoi urdhrin për sekuestrimin e cisternës dhe të naftës që gjendet në të, e që vlerësohet se kap vlerën e pothuajse një miliard dollarëve.
“Një rrjet i kompanive dyshohet se ka shpërlarë miliona dollarë duke mbështetur dërgesa të tilla”, tha Prokurori i Qarkut të Kolombias, Jessie Liu.
“Skema përfshin palë të shumta që kanë lidhje me Gardën Revolucionare nga udhëtime mashtruese të tilla si të Grace 1”, tha ai.