SHBA dhe Kina u bashkuan sot në kryeqytetin amerikan, ndërkohë që Uashingtoni kërkon të shohë Pekinin të rrisë presionin ndaj Koresë së Veriut, që ajo të ndërpresë përpjekjet balistike dhe bërthamore.
Shefi i diplomacisë kineze Yang Jiechi dhe shefi i shtabit të përgjithshëm i Ushtrisë Popullore Çlirimtare (APL) Fang Fenghui u takuan sot në Departamentin amerikan të Shtetit me sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson dhe shefin e Pentagonit Jim Mattis.
Uashingtoni duket tashmë i zhgënjyer nga përpjekjet kineze për të ushtruar presion ndaj Koresë së Veriut, ndërkohë që Pekini shfaq besim nga ana e tij.
Në një mesazh në rrjetin social Twitter, presidenti amerikan, Donald Trump duket se vlerëson veprimin e Kinës.
“Vlerësoj shumë përpjekjet e presidentit kinez, Xi Jinping dhe Kinën për ndihmën në lidhje me Korenë e Veriut, por ato nuk kanë funksionuar. Të paktën Kina e ka provuar!”, shkruan ai.
Kina ka reaguar menjëherë, Ministria e Punëve të Jashtme konfirmoi sot se përpjekjet kanë qenë të mëdha për t’i bërë ballë krizës me Korenë e Veriut.
“Kina po punon fort për të zgjidhur çështjen bërthamore në Gadishullin Korean dhe ne po luajmë një rol të rëndësishëm dhe konstruktiv”, tha zëdhënësi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Geng Shuang, në një konferencë shtypi në Pekin.