SHBA-ja u përpoq sot të minimizojë kërcënimin koreano-verior për të pezulluar negociatat për çarmatimin bërthamor, një nga çështjet më të rëndësishme të Donald Trump, tashmë e vënë në pikëpyetje pas dështimit të samitit të fundit me Kim Jong Un.
“Kjo administratë dëshiron vazhdimin e diskutimeve, ne kemi shpresa për të vijuar bisedimet dhe negociatat”, deklaroi kreu i diplomacisë amerikane, Mike Pompeo në Uashington, shkruan ATSH.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri koreano-verior Kim Jong Un nuk ia dolën mbanë, gjatë samitit të tyre të dytë në fund të shkurtit në Hanoi, për të arritur me një marrëveshje edhe të pjesshme për çarmatimin bërthamor të shtetit të izoluar. Sidoqoftë ata lanë të kuptohej se u ndanë si miq të mirë dhe me dëshirën për të rinisur negociatat.
Por më shumë se dy javë më vonë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të palës amerikane, asnjë takim i ri nuk është caktuar mes negociatorëve.
Të premten, zëvendësministri koreano-verior i Punëve të Jashtme, Choe Son Hui tha për median dhe diplomatët e huaj në Phenian se Koreja e Veriut nuk kishte ndërmend të pranonte kërkesat e SHBA-së, për asnjë arsye, për më tepër nuk ishte e gatshme për tu angazhuar në negociata të tilla.