Telegrafi

SHBA, kërkohet rritje e rrogës minimale

Mijëra protestues u mblodhën kohët e fundit pranë restoranteve të fast food-it në mbarë Shtetet e Bashkuara për të kërkuar një rrogë minimale më të lartë për punëtorët amerikanë. Mike O’Sullivan raporton nga qyteti Los Anxhelos se në mungesë të një veprimi nga Kongresi, debati për rritjen e pagës minimale po zhvillohet në çdo qytet dhe në çdo shtet të Amerikës.

Protestat nga punëtorët e restoranteve fast food në qytetet kryesore amerikane, si kjo në qytetin e Atlantës, janë konsideruar të jenë protestat më të mëdha deri më tani. Ato janë pjesë e një përpjekjeje në vazhdim për të rritur pagat e atyre që punojnë në restorante dhe në biznese të tjera të vogla.

Në Ditën e Punës në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Barack Obama e bashkoi zërin e tij në mbështetje.

“Në të gjithë vendin tashmë po zhvillohet një lëvizje mbarëkombëtare e punëtorëve të restoranteve fast food, të cilët po organizohen me qëllim rritjen e rrogave dhe mundësinë për t’i ofruar kështu më shumë familjeve të tyre me dinjitet dhe krenari. Askush nuk mund të mohojë një të vërtetë të thjeshtë: Amerika e meriton një rritje të rrogave”.

Paga minimale në vend është 7.25 dollarë ora. Por, paga minimale është më e lartë në disa qytete dhe shtete, si p.sh. në Kaliforni, ku punëtorët fitojnë të paktën 9 dollarë për orë. Qyteti i Siatëllit ka minimumin më të lartë, 15 dollarë ora, që protestuesit kërkojnë të fiksohet si niveli i normës kombëtare. /Telegrafi/