Site icon Telegrafi

SHBA ka vendosur më shumë sanksione ndaj prodhuesit kinez të dronëve DJI

SHBA ka vendosur më shumë sanksione ndaj prodhuesit kinez të dronëve DJI dhe shtatë kompanive të tjera kineze.

Të enjten, Departamenti i Thesarit vendosi kompanitë në një listë të përjashtimit të investimeve, duke i ndaluar qytetarët amerikanë të blejnë dhe të shesin aksione në to, përcjell Telegrafi.

Siç është pretenduar, teknologjia e dronëve të DJI është përdorur për mbikëqyrjen e myslimanëve ujgurë në Kinë.

Megjithatë ndalimi është kryesisht simbolik pasi DJI nuk është një kompani e tregtuar publikisht.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, më shumë se 900 agjenci amerikane të sigurisë publike, përfshirë policinë në qytetin e Nju Jorkut, përdorin produkte DJI.

Gjithashtu, edhe Shërbimi i Parkut Kombëtar ka përdorur dronët DJI për të ndihmuar në luftimin e zjarreve në Kaliforni.

Sipas Drone Industry Insights, kompania kishte afër 80% të tregut të dronëve të konsumit vitin e kaluar në SHBA.

Gjigandi i telekomunikacionit Huawei mbetet në listën e përjashtimit të tregtisë së SHBA-së të vendosur nga administrata e Donald Trump, duke i ndaluar kompanitë amerikane të bëjnë biznes me të. /Telegrafi/

Exit mobile version