Prokurorët amerikan në Virxhinia po hetojnë nëse Meta ka përfituar nga shitja e paligjshme e drogës në platformat e saj.
Bëhet e ditur se hetimi penal ka nisur që nga viti i kaluar pasi prokurorët kanë kërkuar të dhëna në lidhje me përmbajtjen dhe shitjen e paligjshme të drogës nëpërmjet platformave të Metës.
Me hetimin ka ndihmuar edhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Por, rasti mund të përfundojë edhe me shfajësimin e gjigantit teknologjik edhe pse hetimet ende vazhdojnë.
“Shitja e drogave të paligjshme është në kundërshtim me politikat tona dhe ne punojmë për ta larguar këtë përmbajtje nga shërbimet tona”, thuhet të ketë deklaruar një zëdhënës i Metës.
Kjo për faktin se Meta ka njoftuar se bashkëpunon në mënyrë proaktive me autoritetet e zbatimit të ligjit për të ndihmuar në luftimin e shitjes dhe shpërndarjes së drogave të paligjshme.
Ndryshe, presidenti i Metës për çështje globale, Nick Clegg, tha se kompania është bashkuar me Departamentin e Shtetit të SHBA-së dhe Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, në përpjekje për të ndërprerë shitjen e drogave sintetike në internet dhe për të edukuar përdoruesit në lidhje me rreziqet që u kanosen nga konsumimi i tyre. /Telegrafi/