Nëse një biznes ka më pak se 500 të punësuar, Administrata e Shteteve të Bashkuara për Bizneset e Vogla e klasifikon atë si biznes të vogël.
Sot për sot, në SHBA ka 23 milionë biznese të vogla, të cilët së bashku përfaqësojnë 54% të shitjeve. Korrespondenti Bernard Shusman në Nju Jork njofton se si tre biznese të vogla po përballojnë klimën e tanishme ekonomike.
Mark Zwerdling krijoi shtatë vjet më parë “Generation Z”, një kompani marketingu për sportet e të rinjve. Ai ka vetëm tre të punësuar, dhe si çelës të suksesit të tij konsideron përgjegjshmërinë ndaj punonjësve dhe zhdërvjelltësinë.
“Mendoj se njerëzit i rikthehen dëshirës për të bërë biznes me kompani të vogla, dhe mendoj se shumica tani kërkojnë zhdërvjelltësi nga firmat me të cilat punojnë. Kështu që, mendoj se njerëzit janë të kënaqur me drejtimin që ka marrë ekonomia dhe mundësitë që ofron.”
Në restorantin “Snowdonia” në Queens të Nju Jorkut, pronarja Carrie Spiller thotë se mezi del me fitim pas gati 2 vitesh punë. Përveç kostos së lartë të elektricitetit, zonja Spiller është gjithashtu e befasuar nga përmasa e pëfshirjes së qeverisë në biznesin e saj.
“Mendoj se mësimin më të mirë e mora prej taksave. Taksa për punonjësit, pagesa papunësie, dhe sigurisht taksa për shitjet. Janë gjithë këto elementë që bëhen e pjesë e detyrimeve mujore, dhe kur je në fillimet e biznesit, këto janë dërrmuese.”
Pronarët e bizneseve të vogla me të cilët kontaktoi Zëri i Amerikës, përmendin kostot e kujdesit shëndetësor si një ndër shpenzimet kryesore. Bizneset e vogla me më pak se 50 punonjës nuk janë të detyruara të ofrojnë sigurim shëndetësor, por në realitet është e domosdoshme për të tërhequr dhe ruajtur punonjësit. /Telegrafi/