Telegrafi

SHBA i jep lamtumirën e fundit George Floyd, familjarët e tij kërkojnë drejtësi

Amerika i ka dhënë lamtumirën e fundit afroamerikanit George Floyd, i mbetur i vdekur e dhunës policore por edhe e racizmit në vend.

Trupi i 46-vjeçarit u varros pranë nënës ndërsa aktorë politikë dhe të afërm tani kërkojnë ndryshime për të mirën e komunitetit me ngjyrë të vendit.

Trupi i George Floyd u përcoll të martën për në banesën e fundit në varrezat e Houston në Teksas të SHBA-së.

Turma njerëzish e shoqëruan kortezhin mortor të prirë nga një karrocë më kuaj në nder të 46-vjeçarit, i vendosur brenda një arkë morti ngjyrë floriri.

Afro-amerikani mbeti viktimë e dhunës policore dy javë më parë nga një oficer i akuzuar tashmë për vrasje që do i bllokonte atij frymën për gati 9 minuta duke i mbajtur qafën me këmbë.

Ndër fjalët e tij që shqiptoi ishin “nuk marr dot frymë”, shprehje e cila do të frymëzonte një valë globale me protesta kundër racizmit dhe keqtrajtimit të njerëzve me ngjyrë.

Para funeralit, e mbesa, vëllai i tij, dhe klerikë e ish-zyrtarë të lartë shteti kërkuan të vihet drejtësia.

“Oficeri nuk tregoi aspak mëshirë kur pa shpirtin e xhaxhait tim t’i dilte nga trupi. Iu lut shumë herë të ngrihej. Nuk e kuptoj se si ky sistem mund të jetë kaq i korruptuar dhe defektoz, në dëm të afro-amerikanëve. Ligjet duhen ndryshuar, jo më krime urrejtjeje, ju lutem.”

“Dua drejtësi për vëllain tim. E gjithë bota do e kujtojë, ka për të ndryshuar botën.”

Me një mesazh kundër racizmit foli edhe përfaqësuesi demokrat i Teksasit, Al Grin, partia e të cilit mbështetet më shumë nga komuniteti me ngjyrë i vendit.

“Ky vend nuk i ka lënë mënjanë dallimet raciale. Ne i mbijetuam skllavërisë por nuk u pajtuam asnjëherë. I mbijetuam shtresëzimit social, diskriminimit, por nuk u pajtuam. Në zyrën më të lartë të shtetit na duhet dikush që prioritet të tijin ose sajin ka pajtimin me popullin afro-amerikan.”

Funerali i Floydit u transmetua të martën drejtpërdrejt nga të gjitha rrjetet televizive më të mëdha të Amerikës, ndërsa bursa e Nju-Jorkut mbajti heshtje për 8 minuta e 46 sekonda, sa koha që do mjaftonte për ndarjen nga jeta të 46-vjeçarit ditën e 25 majit.