Presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara (SHBA) janë gati për të goditur sërish Sirinë nëse përsëriten sulme të tjera kimike.
Ky paralajmërim vjen pasi SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca goditën me raketa tre qytete siriane në përgjigje të sulmit të dyshuar kimik në Douma, rreth një javë më parë. Siria ka mohuar përdorimin e agjentëve kimikë dhe thotë se sulmi u fabrikua nga rebelët, përcjell Telegrafi.
Vala e sulmeve është më e madhja ndonjëherë ndaj qeverisë së Presidentit sirian, Bashar al-Assad nga fuqitë perëndimore në 7 vitet e luftës civile në Siri.
Në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ditën e shtunë, Rusia e akuzoi Perëndimin për sulmet që erdhën pa pritur rezultatet e hetimit të sulmit të dyshuar kimik në Douma.
Rusia u shpreh se SHBA, Mbretëri e Bashkuar dhe Francë u sollën si huliganë dhe “treguan shpërfillje ndaj ligjeve ndërkombëtare”. /Telegrafi/