Site icon Telegrafi

SHBA-ja thotë se ka shkatërruar shtatë dronë të rebelëve Huthi

Forcat amerikane kanë shkatërruar shtatë dronë dhe një makinë kontrolli në zonat e Jemenit të kontrolluara nga rebelët Huthi, tha ushtria amerikane.

Sulmet u kryen për shkak se dronët dhe makina “paraqisnin kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj forcave të koalicionit të SHBA-së dhe anijeve tregtare në rajon”, tha Komanda Qendrore amerikane përmes një postimi në rrjetet sociale.

Rebelët Huthi, që mbështeten nga Irani, kanë shënjestuar anijet në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit që nga nëntori i vitit 2023.

Rebelët kanë thënë se sulmet po kryhen në solidaritet me palestinezët, gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë.

Një ditë më herët, zëdhënësi i rebelëve Huthi, Yahya Saree, mori përgjegjësinë ndaj sulmeve të katër anijeve, përfshirë një “sulmi direkt” ndaj cisternës Delonix në Detin e Kuq, duke pretenduar se në operacion janë përdorur një numër i raketave balistike.

Megjithatë, Marina e Mbretërisë së Bashkuar tha se pesë raketa janë hedhur “në afërsi” të kësaj anijeje dhe nga sulmi nuk janë raportuar dëme.

Në dhjetor, SHBA-ja njoftoi për një nismë për mbrojtje detare, me synim që të mbrojë anijet në Detin e Kuq nga sulmet e rebelëve jemenas.

Këto sulme kanë detyruar shumë anije të ndryshojnë rrugë dhe të shmangin këtë hapësirë, përmes së cilës kalon 12 për qind e tregtisë globale. /rel/

Exit mobile version