Qeveria amerikane do të kërkojë që të gjithë pasagjerët e linjave ajrore që mbërrijnë nga Mbretëria e Bashkuar, të posedojnë një test negativ për COVID-19 të bërë brenda 72 orëve para nisjes.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), njoftoi se të gjithë pasagjerët e linjave ajrore nga Mbretëria e Bashkuar duhet të kenë test negativ në mënyrë që të fluturojnë në Shtetet e Bashkuara.
Vendimi pason paraqitjen e një varianti të ri, shumë infektiv të coronavirusit në Britani të Madhe, që ka nxitur shumë vende të mbyllin kufijtë e tyre për udhëtarët nga atje.
CDC tha se “viruset ndryshojnë vazhdimisht përmes mutacionit, dhe analiza paraprake në Mbretërinë e Bashkuar sugjeron që ky variant i ri mund të jetë deri në 70 për qind më i transmetueshëm sesa variantet që qarkullonin më parë”.
Edhe vendet tjera po ndërmarrin masa për të parandaluar përhapjen e variantit të ri të coronavirusit. Hong Kongu vendosi masën e karantinës për të gjithë vizitorët jashtë Kinës. Rregulli i ri do të hyjë në fuqi më 25 dhjetor. Gjermania tha se kishte konfirmuar rastin e saj të parë me variantin e ri të coronavirusit.
Zyrtarët thonë se nuk ka asnjë provë që llojet e reja të virusit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Afrikën e Jugut janë më vdekjeprurëse ose do të jenë rezistente ndaj vaksinave. /REL/