Site icon Telegrafi

SHBA-ja shton në ‘listën e zezë’ 11 kompani kineze që abuzojnë me të drejtat e njeriut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar 11 kompani kineze në listën e zezë të subjekteve që abuzojnë me të drejtat e njeriut në provincën perëndimore të Kinës, Ksinjiang.

Pekini është përballur me kritika të ashpra për vendosjen e mbi 1 milion ujgurëve dhe anëtarëve të grupeve të tjera etnike, kryesisht myslimane, në kampe përqendrimi, që nga viti 2017.

Kina thotë se kampet janë qendra të riedukimit dhe trajnimit, të nevojshme për të luftuar separatizmin dhe ekstremizmin islamik.

Departamenti amerikan i Tregtisë tha se kompanitë e futura në listë të zezë, i kanë detyruar ujgurët dhe të tjerët të bëjnë punë të ndryshme.

Ato përfshijnë kompani të tekstilit dhe teknologjisë, si dhe dy firma për kryerjen e analizave gjenetike, që përdoren për të shtypur grupet e pakicave.

Lexo po ashtu Ambasadori kinez gjendet në “siklet” në një emision Live – i publikohen disa pamje të myslimanëve ujgurë në Kinë

“Pekini promovon në mënyrë aktive praktikën e qortueshme të punës së detyrueshme dhe të skemave abuzive të mbledhjes dhe analizimit të ADN-ve, për të shtypur qytetarët e saj”, tha sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross.

Kina nuk ka reaguar ende, por në të kaluarën, ajo e ka akuzuar SHBA-në për ndërhyrje në punët e brendshme të saj.

SHBA-ja deri më tash ka pasur në listë 37 kompani kineze, për arsye të ngjashme. /REL/

Exit mobile version