Telegrafi

SHBA-ja reagon rreth vaksinës ruse: Esenca është të kemi një vaksinë të sigurt dhe jo kush e zbulon i pari

Sekretari amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, Alex Azar reagoi ndaj njoftimit se Rusia ka aprovuar vaksinën “e parë në botë” kundër COVID-19.

Paraprakisht, Vladimir Putin ka njoftuar se tashmë shkencëtarët e shtetit rus kanë arritur të prodhojnë një vaksinë efikase kundër coronavirusit, të cilën e kanë emërtuar Sputnik V.

Lexo po ashtu Putin thotë se Rusia regjistroi vaksinën kundër COVID-19, ekspertët botërorë e marrin me skepticizëm

“Esenca nuk është të jesh i pari me vaksinën”, tha Azar në emisionin e ABC Today – “Mirëmëngjes Amerika”, raporton CNN.

“E gjithë poenta është të kemi një vaksinë të sigurt dhe efektive për popullin amerikan dhe njerëzit e botës”, pohoi ai.

Azar tha se të dhënat transparente janë të nevojshme, dhe se këto të dhëna duhet të jenë nga testimet e fazës së tretë që tregojnë se një vaksinë është e sigurt dhe efektive.

“Kjo është ajo që Presidenti Trump po udhëheq me iniciativën historike të Operacionit Warp Speed, me gjashtë vaksina në zhvillim”, pohoi sekretari amerikan, transmeton Telegrafi.

Ai beson se shkencëtarët amerikanë janë në rrugën e duhur për të pasur dhjetëra miliona doza të vaksinës standarde FDA deri në dhjetor dhe qindra sosh do të prodhoheshin deri në vitin 2021.

Kur u pyet se ku është SHBA-ja në këtë “luftë”, Azar tha se dy nga gjashtë vaksinat janë në fazën e tretë të provave klinike që po provohen për siguri dhe efikasitet, dhe kjo do të varet nga shpejtësia me të cilën regjistrohen provat klinike, njerëzit vaksinohen dhe më pas i ekspozohen coronavirusit.

“Pra, ne besojmë, mjeku Anthony Fauci beson, se shumë shpejt do ta kemi – ne kemi shumëfish vaksina testuese, të cilat do të japin rezultate dhe mund të kemi vaksina të autorizuara nga FDA ose të aprovuara deri në dhjetor”, tha Azar.

Lexo po ashtu Ekspertët amerikanë: Sigurisht se nuk do ta marrim vaksinën ruse, nuk kemi informacione rreth saj

Ndryshe edhe ekspertët amerikanë kanë shprehur skepticizmin e tyre sa i përket zbulimit të vaksinës nga kolegët e tyre rus duke thënë se nuk ka asgjë transparente rreth saj. /Telegrafi/