Site icon Telegrafi

SHBA-ja nuk do t’i bashkohet një përpjekjeje ndërkombëtare për zbulimin e një vaksine anti COVID-19

Administrata e Donald Trumpit ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në përpjekjet e koalicionit ndërkombëtar për ta gjetur dhe shpërndarë një vaksinë kundër COVID-19.

E gjithë kjo sepse në të është e përfshirë edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), të cilën po e bojkoton presidenti amerikan, Trump, raporton BBC.

Gazeta Washington Post raportoi se Shtëpia e Bardhë nuk do të bashkohej me 172 vendet e tjera pjesëmarrëse në një iniciativë të udhëhequr nga OBSH-ja për “të siguruar qasje të barabartë në vaksinat e sigurta dhe efektive, pasi ato të licencohen dhe miratohen”, transmeton Telegrafi.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere përmes një deklaratë njoftoi se SHBA-ja “do të vazhdojë të angazhohet me partnerët ndërkombëtarë për ta mposhtur virusin, por ne nuk do të kufizohemi nga organizatatat shumëpalëshe të ndikuara nga OBSH-ja e korruptuar dhe Kina”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka sulmuar OBSH-në për trajtimin që i bëri shpërthimit të coronavirusit, duke e akuzuar atë se fshehu rastet e para në bashkëpunim me Kinën.

Ndërkohë, tre vaksina tashmë janë në fazën finale të provave klinike dhe ka gjasa që brenda vitit apo në fillim të 2021 të kemi një vaksinë kundër COVID-19.

Ndryshe, 25.3 milionë njerëz në nivelin global janë infektuar me virusin gjersa kanë vdekur mbi 848 mijë persona. /Telegrafi/

Exit mobile version