Telegrafi

SHBA-ja mund ta aprovojë vaksinën e tretë kundër coronavirusit në muajin janar, pretendon zyrtari i lartë shëndetësor

Një zyrtar i lartë shëndetësor amerikan, i ka thënë ABC news se një vaksinë e tretë mund të aprovohet në muajin janar.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Admirali Brett Giroir, ndihmës sekretar në departamentin shëndetësor të SHBA-së, tha se të dhënat do të lëshoheshin për vaksinën e coronavirusit e cila po zhvillohet nga Johnson & Johnson në bashkëpunim me Janssen.

Ai shtoi se administrata e presidentit Donald Trump ishte e bindur se deri në qershor të vitit 2021, kushdo që dëshiron të vaksinohet në SHBA do të ketë atë mundësi.

Dy vaksinat e tjera, ajo e Pfizer si dhe e Moderna-s, tashmë janë aprovuar nga Administrata e Ushqimit dhe e Barnave në SHBA.

SHBA-ja tanimë ka filluar me vaksinimet e para që nga e hëna me vaksinën e Pfizer-BioNTech.

Numri i përgjithshëm i rasteve në vend u rrit në 17.6 milionë, derisa kanë ndërruar jetë 316 mijë persona që nga shpërthimi i pandemisë. /Telegrafi/