Site icon Telegrafi

SHBA-ja largon tarifat e aluminit dhe çelikut për Amerikën e Veriut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pajtuar të largojnë tarifat mbi aluminin dhe çelikun e importuar nga Kanadaja dhe Meksika.

Marrëveshja e arritur mes tre vendeve, që u bë e ditur nga gazeta Washington Post, kërkon nga qeveritë e Meksikës dhe Kanadasë të marrin masa për të mos lejuar depërtimin e çelikut kinez në Shtetet e Bashkuara përmes vendeve të tyre.

Marrëveshja hyn në fuqi nesër dhe përgatit terrenin që Kongresi të miratojë Paktin tregtar të Amerikës së Veriut të propozuar nga administrata e Donald Trumpit.

Presidenti Trump vendosi tarifa në mars 2018, duke ngritur si argument shqetësimet për sigurinë kombëtare. Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Kinën për mbingopje të tregut me çelik dhe alumin që pat rezultuar në uljen e çmimeve globale të këtyre produkteve dhe pat sjellë falimentimin e objekteve prodhuese në Shtetet e Bashkuara.

Shumë republikanë ishin shprehur se nuk do ta mbështesnin paktin e tregtisë të propozuar nga Presidenti Trump për sa kohë që mbeteshin në fuqi tarifat.

Njoftimi i djeshëm u bë disa orë pas Presidenti Trump u dha Bashkimit Evropian dhe Japonisë gjashtë muaj kohë për të ulur eksportet e automjeteve të tyre për në Shtetet e Bashkuara, përndryshe kërcënohen me tarifa.

Exit mobile version