Site icon Telegrafi

SHBA-ja, India, Italia dhe Japonia u kërkojnë teste të coronavirusit udhëtarëve nga Kina

Të enjten, Italia i kërkoi pjesës tjetër të Bashkimit Evropian të ndjekë shembullin e saj dhe të sigurojë që udhëtarët kinezë të testohen dhe të karantinohen nëse është e nevojshme.

SHBA, Japonia, Tajvani dhe India gjithashtu njoftuan kohët e fundit testimin e detyrueshëm, pasi Kina merret me një rritje të COVID-19.

Megjithatë, testimi i detyrueshëm për coronavirusin brenda Bashkimit Evropian (BE) për udhëtarët që vijnë nga Kina, ku numri i të infektuarve është rritur, është “i pajustifikuar”, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve me qendër në Stokholm.

Vendet e BE-së “kanë një nivel relativisht të lartë të imunizimit dhe vaksinimit” dhe “variantet e coronavirusit që qarkullojnë në Kinë, tashmë po qarkullojnë në BE”, tha agjencia evropiane, duke shtuar se një masë e tillë nuk është e nevojshme në nivelin e të gjithë BE-së.

Sipas vlerësimit të asaj qendre, infektimi i mundshëm është mjaft i ulët në krahasim me numrin e të infektuarve që tashmë qarkullojnë në baza ditore.

Sistemet shëndetësore janë “tani në gjendje të menaxhojnë” sëmundjen, shtoi qendra evropiane, raporton bbc.

Ndryshe, Komisioni Evropian do të takohet për të “diskutuar masat e mundshme për një qasje të koordinuar” të vendeve të BE-së ndaj rritjes së madhe të numrit të personave të infektuar me coronavirus në Kinë. /Telegrafi/

Exit mobile version