Autoritetet amerikane e dinë identitetin e sulmuesit të tretë me bombë në aeroportin e Brukselit, i cili besohet të jetë në arrati, ka mësuar Sky News.
Ky individ, i cili paraqitet në kamerat e sigurisë, i veshur me një xhaketë të bardhë dhe një kapelë të zezë, është në listën e terroristëve të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara.
Sky News ka bërë të ditur se ky informacion është konfirmuar dy herë nga një burim i tij, shkruan Gazeta Express.
Edhe dy vëllezërit e përfshirë në sulmet në Bruksel, Ibrahim dhe Khalid Bakraoui, gjendeshin në listën e terroristëve të kërkuar, sipas Reuters.
Lajmi vjen pasi Belgjika ka ulur gjendjen e alarmit nga niveli më i lartë në nivelin e dytë më të lartë.
Vendimi është marrë vetëm dy ditë pas sulmeve me bomba në aeroportin Zaventem, dhe në stacionin e metrosë Maalbeek në Bruksel – që kanë lënë të vdekur 31 persona dhe kanë plagosur 270 të tjerë.