SHBA-ja u shpreh e gatshme për rifillimin e diskutimeve ballë për ballë me Korenë e Veriut, të ndërprera që prej disa muajsh, deklaroi sot i dërguari special amerikan për Korenë e Veriut.
Bisedimet dypalëshe janë ndërprerë që prej dështimit të samitit të dytë në Hanoi në muajin shkurt mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe drejtuesit koreano-verior, Kim Jong Un.
Uashingtoni dhe Pheniani nuk arritën të binin dakord për çmontimin e programeve bërthamore të Koresë së Veriut në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.
Por, fundi i manovrave të përbashkëta vjetore të forcave amerikane dhe koreano-jugore, konsideruar si armiqësore nga Koreja e Veriut, duket se po i hap rrugën rifillimit të bisedimeve.
“Ne jemi të gatshëm të rifillojmë diskutimet që prej momentit që do të kemi lajme të reja nga homologët tanë koreano-verior”, theksoi Stephen Biegun, i dërguari special amerikan për Korenë e Veriut.
Ai u shpreh në Seul, ku ndodhet aktualisht në vizitë, në përfundim të një takimi me homologun koreano-jugor, Lee Do-hoon.
Shumë zëra qarkullojnë në shtyp për një takim potencial mes amerikanëve dhe koreano-veriorëve në zonën e çmilitarizuar që ndan dy Koretë.