Telegrafi

SHBA heq përkohësisht sanksionet ndaj Iranit

Deri më tani, sanksionet nuk preknin ushqimet dhe mjekimet e nisura drejt Republikës Islamike për arsye humanitare, por kjo nuk vlente për paratë.

Fillimisht Irani e refuzoi ndihmën nga jashtë pas dy tërmeteve të fuqishme në veri-perëndim të vendit, që morën të paktën 300 jetë njerëzish. Por pasi u kritikua ashpër për reagim të ngadaltë ndaj fatkeqësisë, ndryshoi qëndrimin.

Vendimi i Departamentit të Thesarit erdhi pas trysnisë së ushtruar nga disa OJQ amerikano-iraniane ndaj Shtëpisë së Bardhë për të lejuar dërgimin e parave në mbështetje të punonjësve të ndihmës në terren, raporton TCH.

Washingtoni ka vendosur sanksione të ashpra mbi Iranin për shkak të programit të tij bërthamor, i dyshuar prej kohësh nga autoritetet amerikane se po përdoret për prodhimin e një bombe atomike.

Tërmeti që shkatërroi 6 fshatra e plagosi mbi 3000 persona, ishte një nga më të fuqishmit në Iran që prej vitit 2003, kur lëkundjet apokaliptike të tokës në qytetin e Banit vranë 25.000 vetë.

Presidenti i atëhershëm amerikan, George Bush lejoi dërgimin e ndihmës financiare, çka nxiti organizatat joqeveritare t’i kërkonin edhe presidentit aktual, Barack Obama të bënte të njëjtën gjë. /Telegrafi/