Në Shqipëri, Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Delegacioni i Bashkimit Europian i paraprinë protestës së thirrur nga opozita, për ditën e shtunë, me dy deklarata të veçanta, duke paralajmëruar se dhuna gjatë manifestimeve është “e paligjshme dhe e patolerueshme”.
“Pavarësisht se protesta paqësore është një shtyllë themelore e demokracisë, nxitja apo kryerja e veprimeve të dhunshme, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës publike, janë të paligjshme”, thekson ambasada amerikane.
“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë rithekson rëndësinë e të drejtës themelore të të gjithë qytetarëve shqiptarë për të demonstruar.
Kjo e drejtë është një shtyllë qendrore në çdo shoqëri demokratike, por duhet ushtruar në mënyrë paqësore, pa përdorur dhunën. Asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme”, theksohet në deklaratën e përfaqësisë europiane.
Të dyja palët bëjnë thirrje për të shmangur episode të dhunës.
“Ne i nxisim të gjithë aktorët e demokracisë shqiptare që të ushtrojnë vetëpërmbajtje në protestën e 16 marsit”, thekson ambasada amerikane. “Ne u bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë liderëve të partive që të tregojnë përgjegjësi për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave”, nënvizon nga ana tjetër Delegacioni i Bashkimit Europian.
Opozita prej më shumë se një muaji është larguar nga parlamenti, duke hequr dorë në bllok nga mandatet e deputetëve të saj. Ajo kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme.
Në deklaratën e saj ambasada amerikane shprehet se ajo “i konsideron Qeverinë dhe Parlamentin aktual të Shqipërisë të zgjedhura në mënyrë legjitime nëpërmjet zgjedhjeve të vitit 2017, të njohura ndërkombëtarisht. Ne vlerësojmë punën e mirë që është bërë në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, si dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka ende punë për të bërë”, thekson ambasada duke shtuar se “ata ish anëtarë të Parlamentit të cilët vendosën të braktisin mandatet, hoqën dorë nga detyrimet e tyre ndaj qytetarëve shqiptarë, e duhet të lejojnë ata që duan të punojnë për të ardhmen e vendit të bëjnë punën e tyre.
Ne mbështesim të gjithë ata që vazhdojnë të jenë të përfshirë në procesin demokratik në Parlament, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë të ecë përpara, drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”.
Nga ana e tij, Delegacioni i Bashkimit Europian ka përsëritur kritikat ndaj vendimit të opozitës.
“Konsiderojmë se vendimi për heqjen dorë nga mandatet parlamentare pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe ndikon në integrimin e vendit në BE – një perspektivë që e duan plotësisht 93% e qytetarëve shqiptarë. Ne vazhdojmë të mbështesim ata që janë të angazhuar në procesin demokratik në Parlament, gjithashtu në mbrojtjen e interesave të popullsisë shqiptare që dëshiron të vazhdojë të ecë drejt BE-së. Që prej qershorit të kaluar është bërë progres, veçanërisht në reformën në drejtësi, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar, por ka ende shumë punë për të bërë në tre muajt e ardhshëm”.
Përfaqësia e BE-së në Tiranë, shprehet se “tani është shumë urgjente që të kapërcehet situata politike aktuale duke krijuar një platformë kombëtare për dialog ndërmjet të gjitha palëve të interesuara, edhe duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme lokale të qershorit. Shqipëria ka nevojë për një dialog ndërpartiak për reformat më urgjente, duke përfshirë reformimin e kuadrit ligjor zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it”, përfundon deklarata e Delegacionit të Bashkimit Europian.
Kreu demokrat Lulzim Basha tha se nuk komentonte deklaratat e ambasadave, por megjithatë “një sugjerim e kam. Nuk u kërkoj të jenë palë me asnjë person, me asnjë parti politike, por me vlerat mbi të cilat qëndrojnë vendet e tyre, vlerat e zgjedhjeve të lira e të ndershme, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të luftës kundër shitblerjes së votës, problem të cilat i shprehu qartë dhe raporti i Departamentit të Shtetit pak ditë më parë”, u shpreh zoti Basha për gazetarët, duke shtuar se, sipas tij, “shqiptarët e kanë kuptuar se për t’u ndarë nga e keqja e vetmja mënyrë është protesta”.