Site icon Telegrafi

SHBA dhe Koreja e Jugut bien dakord për marrëveshjen e armëve bërthamore për t’iu kundërvënë kërcënimit të Koresë së Veriut

SHBA dhe Koreja e Jugut kanë siguruar një marrëveshje historike për t’iu kundërvënë kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut.

Kështu, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Uashingtoni ka rënë dakord të vendosë periodikisht nëndetëset amerikane të armatosura bërthamore në Korenë e Jugut dhe të përfshijë Seulin në operacionet e tij të planifikimit bërthamor.

Në këmbim, Koreja e Jugut ka rënë dakord të mos zhvillojë armët e veta bërthamore.

Deklarata e Uashingtonit do të forcojë bashkëpunimin e aleatëve në parandalimin e një sulmi të Koresë së Veriut, tha presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Shqetësimi është rritur nga të dyja palët për kërcënimin bërthamor të paraqitur nga Koreja e Veriut.

Pheniani po zhvillon armë taktike bërthamore që mund të synojnë Korenë e Jugut dhe po përpunon armët e tij me rreze të gjatë që mund të arrijnë në territorin e SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë një detyrim traktati për të mbrojtur Korenë e Jugut dhe më parë janë zotuar të përdorin armë bërthamore nëse është e nevojshme.

Por disa në Korenë e Jugut kanë filluar të dyshojnë në këtë angazhim dhe të bëjnë thirrje që vendi të ndjekë programin e tij bërthamor.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, i cili ishte në Shtëpinë e Bardhë për një vizitë shtetërore, tha se Deklarata e Uashingtonit shënoi një angazhim “të pashembullt” të SHBA-së për të përmirësuar mbrojtjen, për të penguar sulmet dhe për të mbrojtur aleatët amerikanë duke përdorur armë bërthamore.

Marrëveshja e re është rezultat i negociatave që u zhvilluan gjatë disa muajve, sipas një zyrtari të lartë të administratës. /Telegrafi/

Exit mobile version