Presidenti kinez Xi Jinping dhe ai amerikan Joe Biden janë takuar në Bali përpara samitit të G20-ës, në një kohë kur marrëdhëniet midis dy vendeve janë në nivelin më të ulët, të rrethuar nga një sërë çështjes nga Tajvani e deri të mosmarrëveshjet tregtare.
Dy burrështetasit për herë të parë kanë biseduar në katër sy që kur Biden është bërë president, e takimi i G20-ës, i cili fillon të martën, me siguri do të monitorojë tensionet rreth pushtimit rus të Ukrainës, transmeton Telegrafi.
Dyshja janë pajtuar që armët bërthamore nuk duhet të përdoren kurrë, përfshirë edhe kundër Ukrainës, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
“Presidenti Biden dhe presidenti Xi përsëritën marrëveshjen e tyre, se lufta bërthamore nuk duhet të ndodhë kurrë dhe nuk mund të fitohet kurrë, dhe theksuan kundërshtimin e tyre ndaj përdorimit ose kërcënimit të përdorimit të armëve bërthamore në Ukrainë”, tha Shtëpia e Bardhë.
Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës janë acaruar pas veprimeve të kësaj të fundit në Tajvan. Shtëpia e Bardhë tha se Biden dhe Xi folën sinqerisht për çështjet globale, ndërsa presidenti amerikan shprehu shqetësimin për politikat e Kinës ndaj Hong Kongut dhe Tajvanit.
“Biden shprehu kundërshtimet e SHBA-së ndaj veprimeve shtrënguese dhe gjithnjë e më agresive të Republikës Popullore të Kinës ndaj Tajvanit, të cilat minojnë paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit dhe rajonin më të gjerë dhe kërcënojnë prosperitetin global”, thuhet në deklaratë. /Telegrafi/