Pesë shtetas amerikanë u larguan nga Irani me një aeroplan të Katarit, në këmbim të pesë iranianëve të liruar nga burgjet amerikane në një marrëveshje të rrallë midis dy vendeve të ndërmjetësuar nga Katari, dhe shkrirjen e gjashtë miliardë dollarëve të aseteve iraniane.
Aeroplani i Katarit u ngrit pasi SHBA-së dhe Iranit iu tha se paratë ishin transferuar në llogaritë e Katarit, transmeton Telegrafi.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se pesë shtetas amerikanë që ishin në burgjet iraniane dhe dy gratë e tyre, u larguan nga Irani si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve.
Pesë amerikanë me shtetësi të dyfishtë transferohen në Doha dhe më pas në SHBA, në këmbim të lirimit të pesë shtetasve iranianë nga burgjet amerikane.
Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Iranit, tha se dy iranianë do të kthehen në Iran dhe dy do të qëndrojnë në SHBA me kërkesën e tyre. Njëri do t’i bashkohet familjes në një vend të tretë, shtoi ai.
Zëdhënësi Nasser Kanani tha se paratë, të bllokuara në Korenë e Jugut pasi SHBA shtrëngoi sanksionet ndaj Iranit në vitin 2018, do t’i viheshin në dispozicion Teheranit sot.
Sipas marrëveshjes, Katari do të sigurojë që paratë të shpenzohen për mallra humanitare si ushqime dhe ilaçe.
Zyrtarët iranianë thanë se pesë iranianët që do të lirohen nga SHBA janë Mehrdad Moin-Ansari, Kambiz Atar-Kashani, Reza Sarhangpur-Kafrani, Amin Hasanzadeh dhe Kaveh Afrasiabi. Afrasiabi do të qëndrojë në SHBA. /Telegrafi/