Shtetet e Bashkuara thanë se çdo dialog me Korenë e Veriut duhet të ketë çarmatimin bërthamor si qëllim të fundit.
Të dielën, në ditën e fundit të Lojërave Olimpike Dimërore në Pjongçang të Koresë së Jugut, delegacioni veri-korean ka thënë se është i gatshëm për bisedime me SHBA-në.
“Do të shohim nëse mesazhi i Phenjanit paraqet hapat e parë në rrugën drejt denuklearizimit”, tha përmes një deklarate Shtëpia e Bardhë.
“Në ndërkohë, SHBA-ja dhe bota duhet të vazhdojnë ta bëjnë të qartë se programi i Koresë së Veriut me raketa bërthamore është një fund i vdekur”, shtoi Shtëpia e Bardhë.
Ky zhvillim vjen pas më shumë se një viti tensione të ashpra për programin raketor të Koresë së Veriut. Kjo e fundit, vitin e kaluar, ka kryer po ashtu provën e gjashtë bërthamore në kundërshtim me rezolutat e Kombeve të Bashkuara. /Rel/