Pentagoni njoftoi sot se ka besim në kapacitetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të mbrohet nga raketat e Koresë së Veriut, pasi Pjong-jangu lansoi një raketë të re ndërkontinentale, e cila besohet të jetë në gjendje për të arritur në territorin e SHBA-ve.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Jeff Davis tha se një raketë e tillë mund të arrijë deri në Alaskë dhe se ajo ishte lansuar nga një platformë e lëvizshme.
“Ne besojmë në kapacitetin tonë për t’u mbrojtur kundër kërcënimeve të kufizuara, të cilat ekzistojnë aktualisht”, tha Davis.
Ai shtoi se analistët e Pentagonit nuk e kanë parë më herët tipin e raketës, e cila dje u testua nga Pjong-jangu.
Davis shprehu besimin e tij se Koreja e Veriut është ende larg qëllimit të saj për zhvillimin e raketave ndërkontinentale që mund të bartin koka bërthamore.
Ndryshe, raketa, e cila u testua me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, është quajtur nga udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un si “një tortë për bastardët amerikanë”, transmeton KosovaPress.