Telegrafi

SHBA akuzon Rusinë për sulme kibernetike në rrjetin e energjisë dhe sistemin e ujit

Shtetet e Bashkuara janë duke akuzuar për herë të parë Qeverinë ruse për një fushatë të vazhdueshme të sulmeve kibernetike, për të cilën kanë thënë se është duke shënjestuar rrjetin e energjisë, sistemin e ujit dhe pjesën tjetër të infrastrukturës.

Ky njoftim i sigurisë amerikane është publikuar më 15 mars, derisa në të thuhet se hakerët e Qeverisë ruse janë duke synuar që të ndërhyjnë në disa sektorë për të cilët konsumatorët amerikanë kanë nevojë çdo ditë.

Industritë e sulmuara nga marsi i vitit 2016 përfshijnë energjinë, sistemin bërthamor, ujin, aviacionin dhe fushën e prodhimit, është thënë në njoftim.

Këto shkelje të hakerëve rusë janë përmendur nga Departamenti amerikan i Thesarit si një nga arsyet e vënies së pakos së re të sanksioneve ndaj Rusisë më 15 mars, transmeton Evropa e Lirë.

Zyrtarët amerikanë po ashtu kanë thënë se besojnë që ushtria ruse ka kryer sulmet kibernetike me virusin “NotPetya” në qershor të vitit 2017, i cili ka shkaktuar dëmet më të mëdha financiare në historinë e biznesit global.

Virusi NotPetya është shpërndarë në gjithë botën, duke paralizuar punën e shumë pajisjeve kompjuterike.

Ky sulm ka rezultuar me humbje të miliarda dollarëve në industritë e anijeve, tregtisë, kujdesit shëndetësor dhe industrive të tjera, ka shtuar Departamenti amerikan i Thesarit.