Departamenti amerikan i drejtësisë ka shpallur sot se i ka akuzuar dy oficerë të inteligjencës së Rusisë, për sulmin masiv kibernetik në vitin 2014, kundër kompanisë Yahoo, njëri prej të cilëve ishte arrestuar në muajin janar në Moskë, në kuadër të një skandali ku ishte përshfirë agjencia kryesore e sigurisë në Rusi.
Në deklaratën e sotme, agjencia FBI, Departamenti i drejtësisë dhe zyrtarë të tjerë, thanë se edhe dy hakerë kriminalë të tjerë janë paditur.
Në shënjestër të kësaj padie amerikane ishin dy oficerë të inteligjencës që punonin për Shërbimin e Sigurisë së Rusisë (FSB), që është agjencia kryesore e inteligjencës në këtë vend.
Ata janë identifikuar si Dmitry Dokuchayev dhe shefi i tij, Igor Sushchin.
Departamenti i drejtësisë i ka lidhur këta dy persona me sulmin kundër kompanisë Yahoo, në vitin 2014, për të cilin ky gjigant në Internet, ka njoftuar vitin e kaluar, duke thënë se ishin prekur më se 500 milionë shfrytëzues.
Ky ishte njëri prej sulmeve më të mëdha të këtij lloji që është raportuar publikisht.
Akuzat duken se nuk janë të ndërlidhura me sulmin e dyshuar kibernetik rus kundër Komitetit Kombëtar Demokratik në Shtetet e Bashkuara dhe me hetimin e agjencisë FBI për ndërhyrjen rus në zgjedhjet amerikane në vitin 2016.