Telegrafi

SHBA, 708 miliardë dollar për luftërat dhe Pentagonin

Një fakt i tillë parashikohet në dokumentin e buxhetit të vitit për SHBA-të, në të cilin buxheti i Pentagonit parashikon akordimin e 708 miliardë dollarëve me argumentin e dy strategjive të rishikuara, të cilat përbëjnë planin që i kushton prioritet të lartë fitores së luftërave në Irak dhe Afganistan dhe gadishmërisë për konfliktet e reja të mundshme.

Ndërkaq, dokumenti i buxhetit gjithashtu kërkon rritjen e aftësive të mbrojtjes nga raketat.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, tha se synimi i rishikimit të politikave dhe propozimeve të buxhetit është për të mundësuar që ushtria amerikane të fitojë luftërat e tanishme dhe të përgatitet për një të ardhme të rrezikshme dhe të pasigurt.

Dokumenti kryesor i publikuar dje, Rishikimi i Mbrojtjes Katërvjeçare, është hartuar për të përcaktuar drejtimin e Departamentit të Mbrojtjes për katër vitet e ardhshme.

Aty theksohet siguria globale që po bëhet gjithnjë e më komplekse, ku grupet terroriste po shtënë në dorë gjithnjë e më shumë teknologji vdekjeprurëse dhe të rrezeve të gjata veprimi.

"Kemi mësuar përmes eksperiencës së dhimbshme se luftërat ku ne marrim pjesë, janë rrallë luftëra që ne parashikojmë. Si rezultat, Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për aftësi më të shumta ushtarake, shkathësi më të madhe përgjatë një spektri të gjerë të konflikteve", tha Gates lidhur me një fakt të tillë.