Pretendimet publike në medie se kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Gent Begolli, ka dhënë dorëheqje për shkak të trysnisë për mosvazhdimin e kontratës së “Z-Mobile”-it i kanë mohuar përfaqësuesit e Telekomit të Kosovës. Sipas arsyetimit të tyre, largimi i Begollit nga ndërmarrja ka ndodhur për shkaqe personale dhe shëndetësore, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës (TK) dikur ishte ndër më përfitueset në vend.
Por aktualisht, përveç krizës financiare e cila po e përcjell aktualisht Telekomin e Kosovës (TK), kompania ka mbetur pa “zot shtëpie”.
Kryeshefi i deritanishëm Gent Begolli të mërkurën u largua nga pozita që i mjaftoi vetëm 5 muaj. Begolli nuk pranon të deklarohet për arsyet e dorëheqjes së tij.
Gazeta “Zëri” ka kontaktuar me ish-kryeshefin e Telekomit, i cili ka thënë se është në mbledhje dhe më pastaj ka qenë i paqasshëm në lidhjet telefonike.
Por kryesuesja e Bordit të Telekomit, Besa Shatri-Berisha, ka sqaruar në detaje arsyet e largimit të Begollit nga ndërmarrja.
Përmes telefonit ajo ka mohuar deklarimet se ish-kryeshefi i Telekomit ka dhënë dorëheqje nën trysninë e ushtruar ndaj tij. /Zëri/Telegrafi/