Site icon Telegrafi

SHATK përkrah grevën e aktorëve dhe punëtorëve të TKK-së

Mostrajtimi i dinjitetshëm ndaj aktorëve dhe punëtorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK), jep për të kuptuar se arti dhe krijuesit e tij nuk vlerësohen por nënçmohen pasi që kërkesat e tyre nuk trajtohen me seriozitet, shprehet Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK).

“Mospërfillja e kërkesave të shumta të drejtuara ndaj MKRS-së dhe Qeverisë, shkelja e vet premtimeve të dhëna nga ana e vet Ministrisë së e Kulturës, trajtimi nënvlerësues ndaj performuesve kulturor duhet të marrë fund. SHATK, shpreh indinjim të thellë për mosrealizimin e premtimeve dhe për mostrajtimin serioz të kësaj çështje dhe kërkon këndellje dhe reagim të menjëhershëm nga ana e zyrtarëve kompetent të MKRS-së dhe Qeverisë së Republikës Kosovës”, thotë SHATK në reagimin dërguar mediave. SHATK thotë se përkrah grevën e nisur nga aktorët dhe punëtorë e TKK-së, deri në plotësim të kushteve të kërkuara – rritjen e pagës bazë për performuesit e kulturës dhe me këtë rast fton edhe publikun të tregojë mirëkuptim ndaj kërkesave të shprehura dhe solidarizim me to. Bordi Ekzekutiv i SHATK-së i bën thirrje Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të realizojë premtimin e dhënë, e njëherësh SHATK shpreh përkrahje të plotë për performuesit e kulturës deri në plotësimin e kërkesës legjitime, për trajtim të dinjitetshëm”, thuhet në njoftimin e SHATK-së.

Exit mobile version